Home ZGJODHËM PËR JU Ai nuk arriti të pranojë që fajin mund ta kishte ai vetë,...

Ai nuk arriti të pranojë që fajin mund ta kishte ai vetë, prandaj fajësoi Zotin për gjendjen e tij

Zoti në Kuran flet për një lloj qenieje që nuk është e krijuar as nga drita, si engjëjt, dhe as nga balta, si njeriu, por nga zjarri. Zjarri është ndriçues dhe i errët në të njëjtën kohë. Megjithëse ngjitet për në qiell, zjarri është tokësor. Ai nuk mund të ndahet kurrë prej baltës, sepse i nevojitet lënda për të djegur. Zjarri ngrihet lart, sikur kërkon të arrijë lirinë e dritës, por pa arritur kurrë të çlirohet prej baltës.

Kurani i përmend qeniet e krijuara nga zjarri me emrin “xhin”, një emërtim që literalisht ka kuptimin e diçkaje të fshehtë, dhe që përçon më së miri natyrën e xhinëve. Anëtari më i famshëm i racës së xhinëve është Iblisi, i njohur gjithashtu si Shejtani/Djalli. Për mijëra vjet, që përpara krijimit të Ademit, Iblisi është treguar tepër i devotshëm, duke e shpenzuar tërë kohën e tij në vepra devocioni. Kur u krijua, natyra e tij ndriçuese e tërhoqi drejt engjëjve dhe ai u bashkua me ta në madhërimin dhe falënderimin e Zotit. Edhe pse ishte krijuar nga zjarri, Zoti e lejoi të përzihej lirisht me krijesat nga drita.

Çdo gjë shkonte mirë, derisa Zoti krijoi Ademin, pas krijimit të të cilit Ai u kërkoi engjëjve – dhe Iblisit që në këtë kohë ishte në mesin e tyre – t’i përuleshin Ademit (El-Bakarah 2, 34; El-A’araf 7, 11). Engjëjt iu bindën menjëherë urdhërit, duke qenë se “ata bëjnë atë që urdhërohen” (En-Nahl 16, 50). Por Iblisi nuk ishte një engjëll, e prandaj ai mund të mos bindej nëse dëshironte. Dhe në këtë rast, për herë të parë në jetën e tij, ai vendosi ta bënte këtë gjë. Zoti e pyeti Iblisin: “Çfarë të pengoi t’i përuleshe atij që krijova me Dy Duart e Mia”? Iblisi u përgjigj: “Unë jam më i mirë se ai, Ti më krijove nga zjarri, ndërsa atë e krijove nga balta” (Sad 38, 75-76).

Zjarri ka tendencë të ngrihet lart, të pohojë fuqinë dhe të zhdukë çdo gjë që has në rrugën e tij. Kjo veti e tij shfaqet në tiparin njerëzor (apo djallëzor) të arrogancës. Iblisi tha: “Unë jam më i mirë se sa ai”. Motoja e Shejtanit është “unë, unë, unë”. Natyra negative e zjarrit është përmbledhur më së miri në termin kuranor “istikbar”, i cili ka kuptimin e “kërkimit të madhështisë, lartësimit, apo famës”. Nga e njëjta rrënjë rrjedh fjala “ekber”, që do të thotë “më i madh”. “Zoti është më i madh” është një nga frazat më të shpeshta që dëgjohet nga buzët e muslimanëve dhe që shënjon çdo lëvizje në namaz. Nga e njëjta rrënjë përftohet dhe Emri i Zotit “El-Mutekebbir”, “Ai që është i Madhërishëm në Vetvete”, ose “I Madhërishmi”. Si cilësi e karakterit njerëzor, kjo fjalë ka kuptimin ‘arrogant’, sepse askush nuk e meriton madhërimin përveç Zotit.

Iblisi dhe ata njerëz që kanë karakteristikat e zjarrit kërkojnë madhështi dhe madhërim për vetet e tyre. Ashtu si zjarri, ata pohojnë realitetin e tyre dhe përpiqen të shkatërrojnë realitetin e të tjerëve. Kurani ia atribuon këtë tipar të kërkimit të madhështisë Iblisit, Faraonit dhe rrethit të tij, si dhe fshehësve të të vërtetës (“kafir”-ëve) në përgjithësi. Ata të gjithë do të hidhen në Ferr, i cili është pikërisht një zjarr që i përgjigjet natyrës së tyre:

“Kështu engjëjt iu përulën Ademit, të gjithë, përveç Iblisit. Ai kërkoi madhështi dhe ishte prej fshehësve të të vërtetës” (Sad 38, 73-74).

“E Faraoni kërkoi madhështi në tokë, ai dhe ushtarët e tij, pa të drejtë” (El-Kasas 28, 39).

“Ata që i quajtën të gënjeshtërta shenjat Tona dhe kërkuan madhështi karshi tyre, ata janë banorët e Zjarrit, ku qëndrojnë përgjithmonë” (El-A’araf 7, 36).

Për shkak të mosbindjes, Zoti e zbriti Iblisin poshtë në tokë. Biseda midis Zotit dhe Iblisit në këtë moment është e rëndësishme për të kuptuar rolin e Shejtanit në botë. Zoti i tha Iblisit:

“- Zbrit prej saj, nuk të takon të kërkosh madhështi aty. Prandaj dil, ti je vërtet prej të poshtëruarve!

– Më jep afat deri ditën kur do të ringjallen!

– Ti je prej atyre që u është dhënë afat.

– Betohem në kequdhëzimin që më bëre, do t’u zë pritë në rrugën Tënde të drejtë! Pastaj do t’u dal atyre nga përpara dhe nga prapa, në të djathtë dhe në të majtë, e Ti shumicën e tyre nuk do t’i gjesh mirënjohës.

– Dil prej saj, i përçmuar dhe i dëbuar! Nuk ka dyshim, ata që kanë për të të ndjekur ty, do ta mbush Xhehenemin me të gjithë ju”! (El-A’araf 7, 13-18).

Ky tregim shpjegon se si Shejtani u bë armik i njerëzve. Motivimi i tij është mburrja, zemërimi dhe zilia.

Ai është mburravec për shkak të temperamentit të tij të zjarrmishëm dhe gradës së lartë mes krijesave.

Ai është i zemëruar me Zotin që i kërkoi të përulej ndaj një krijese prej balte.

Ai e ka zili Ademin sepse Zoti e preferoi atë në mënyrë të veçantë.

Ai nuk arriti të pranojë që fajin mund ta kishte ai vetë, prandaj fajësoi Zotin për gjendjen e tij.

Shejtani është burimi kryesor i devijimit të njerëzve. Zoti citon në Kuran Musain të thotë: “… kjo është prej punëve të Shejtanit. Ai është, pa dyshim, një armik, një kequdhëzues i qartë”! (El-Kasas 28, 15). Në Ditën e Gjykimit, Zoti u drejtohet kështu ndjekësve të Shejtanit:

“Veçohuni sot, o ju fajtorë! A nuk ju urdhërova, o bijtë e Ademit, që të mos i robëroheshit Shejtanit, sepse ai është me të vërtetë një armik i qartë për ju, por të më robëroheshit mua, sepse kjo është një rrugë e drejtë?! Ai kishte devijuar shumë prej jush, a nuk arsyetonit?! Ky është Xhehenemi që ju premtohej! Hyni në të, për shkak të mohimit!” (JaSin 36, 59-64).

Në mesin e njerëzve, Kurani veçon Faraonin si një kequdhëzues. Kjo nuk është e papritur, duke qenë se Faraoni zotëronte gjithë karakteristikat e Iblisit, sidomos mburrjen e tejskajshme. Ashtu sikurse Musai është përmendur me emër 136 herë në Kuran, shumë më tepër se çdo Profet tjetër, edhe Faraoni, armiku i betuar i Musait, është përmendur 74 herë, shumë më tepër se çdo keqbërës tjetër. Përshkrimet kuranore të veprave të tij përmbledhin gjithë karakteristikat e këqija që mund të zotërojë një qenie njerëzore. Mjafton të përmendet që ai pretendoi hyjnizimin e vetes duke thënë: “Unë jam zoti juaj, më i larti” (En-Nazi’at 79, 24). Në fakt, të gjithë njerëzit që ndjekin kapriçot e tyre si hyjni bëjnë të njëjtin pohim, sepse kapriçot nuk reflektojnë vetëm se vetet e tyre. Duke ia atribuuar devijimin kapriços dhe Faraonit, Kurani ia atribuon atë në fakt Shejtanit, sepse kapriçot dhe Faraoni mishërojnë gjithë karakteristikat e Shejtanit. Kapriçot përfaqësojnë Iblisin brenda shpirtit njerëzor, ndërsa Faraoni është përfaqësimi i tij në shoqërinë njerëzore.

Megjithëse Iblisi nuk iu bind Zotit, ai është duke përmbushur urtësinë e Zotit me krijimin e tij, sepse ai bën të mundur zgjedhjen e njerëzve midis të mirës dhe së keqes. Njerëzit nuk mund të kenë një armik më të keq se sa Shejtani, sepse ai i udhëheq ata për në Ferr. Por edhe Ferri është një krijesë e Zotit, e krijuar për një qëllim. Kurani e bën të qartë që edhe Ferri ka të drejtat e tij: “Atë ditë do t’i themi Xhehenemit: “A u mbushe?”, dhe ai do të përgjigjet: “A ka ende më?” (Kaf 50, 30). Në mungesë të Iblisit, Ferri nuk do të kishte banorë. Prandaj, po ashtu, në mungesë të zgjedhjeve të mundësuara prej Iblisit nuk do të kishte sferë morale, sepse nuk do të dallohej e mira prej së keqes.

* Shkëputur prej librit “The Vision of Islam” nga Sachiko Murata & William Chittick.