Home ZGJODHËM PËR JU Ende je i ri, do të falesh kur të plakesh!

Ende je i ri, do të falesh kur të plakesh!

Për shumë njerëz të qenit i ri është një arsyeje për mos faljen e namazit. Është për tu çuditur se si rinia e cila duhet të jetë një shans dhe lidhje më e madhe me ibadetin dhe namazin, ndonjëherë bëhet si pengesë. Për më tepër, epshi jonë dhe rrethi ku jetojmë mund të na thonë se jemi ende të ri, do të falemi kur do të plakemi.

Mirëpo, kush është i sigurt se do ta përjetoj pleqërinë? Kush ka bërë marrëveshje me melekun e vdekjes? Të themi se na është dhënë garancion se do të jetojmë 100 vjet. Kur do të fillojmë me namazin? Kur do t’i mbushim 60, 70 apo 90 vjet, apo një ditë para vdekjes?

A nuk do të pyetemi për atë që kemi bërë që nga koha e pubertetit dhe më tej? A thotë Allahu:“O ju pleq, faleni namazin” apo thotë: “O ju që keni besuar faleni namazin”? A është Islami një çështje e njerëzve të moshuar? I Dërguari i Allahut na ka treguar se çdo njeri do të jap llogari para Allahut se ku e ka kaluar rininë e tij. Edhe krahas asaj se e dimë këtë të vërtetë, si mund të jemi indiferent derisa thërret ezani?

Po, rinia duhet të na nxis që të lidhemi sa më shumë me namazin sepse ajo është periudha më e bukur për vepra të mira. Energjia, aktiviteti, dëshira dhe fuqia që kemi në rini nuk mund të gjendet në pleqëri? Të gjitha këto cilësi që i posedojmë në rini duhet shfrytëzojmë në rrugën e Allahut xh.sh.