Home ZGJODHËM PËR JU GRUAJA IME TË DUA!

GRUAJA IME TË DUA!

Gruaja ime… Të dua!

Shpalosja e ndjenjës së dashurisë mes bashkëshortëve konsiderohet si një ndër shtyllat e jetesës bashkëshortore dhe argument i ndjenjave e emocioneve të ndërsjella mes dy bashkëshortëve. Përtëritja e jetës bashkëshortore ndërmjet burrit dhe gruas është e domosdoshme, që të mënjanohet kështu rutina e monotonia, në të cilat janë të përfshirë shumë çifte bashkëshortore.

Shumë hulumtime tregojnë, se ndër shkaqet kryesore që i dobësojnë marrëdhëniet bashkëshortore është koha e pakët, të cilën e ndajnë çdo njëri nga të dy bashkëshortët me tjetrin në ruajtjen e këtyre marrëdhënieve.

Problemet dhe obligimet e shumta të jetës, të cilat shpesh janë spontane, nganjëherë i privojnë disa çifte bashkëshortore nga rehatia familjare dhe koha për të qëndruar së bashku, si dhe për shpalosjen e ndjenjave të dashurisë ndaj njëri-tjetrit. Shpalosja e ndjenjave të dashurisë mes bashkëshortëve mund të bëhet në disa mënyra, si:

a) Shprehja e dashurisë sinqerisht nga bashkëshortët për njëri-tjetrin

b) Përmes respektit e vlerësimit nga bashkëshortët për njëri-tjetrin,

c) Përmes sjelljes së mirë, interesimit për njëri-tjetrin,

d) Përmes dhuratave e mesazheve, e të ndihmuarit njëri-tjetrit.

Përmes mirëkuptimit, e cila është mënyra më e mirë për shprehjen e dashurisë mes dy bashkëshortëve, që nënkupton se secili nga bashkëshortët duhet ta kuptojë palën tjetër, pasi ta ketë kuptuar vetveten dhe rolin në familje. Në këtë mënyrë është shumë lehtë të ketë sjellje të shëndoshë me palën tjetër dhe mund ta shprehë dashurinë pa ngurrim, sepse gruaja është bërë pjesë e burrit të saj dhe burri është bërë pjesë e saj. Shprehja e dashurisë përmes fjalëve mbetet mënyra më e mirë, më e suksesshme dhe më e shpejtë për të arritur në zemrën e bashkëshortit tjetër. Argument për këtë konsiderohet nxitja e Islamit në shpalosjen e dashurisë e dashamirësisë ndaj të tjerëve. Allahu i Lartësuar thotë: “…dashuria e atyre që besuan Allahun është shume më e fortë” Bekare 165. “Dhe, o populli im, ç’është që unë ju thërras në shpëtim, e ju më thirrni për në zjarr. Më thirrni ta mohoj Allahun dhe ta adhuroj atë që nuk di asgjë për të, ndërsa unë ju thërras për tek i Gjithëfuqishmi, Mëkatfalësi.” Gafir 41-42.

Na përcjell Mikdam ibën Madiu, se i Dërguari paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të ka thënë: “Kur dikush nga ju e do vëllanë e tij, atëherë le t’i tregojë se e do atë.” Ahmedi.

Nëse ky është raporti me njerëzit në përgjithësi, atëherë si duhet të jetë me bashkëshortët, lidhjen e të cilëve Allahu i Lartësuar e cilëson si lidhjen më admiruese. Allahu i Lartësuar thotë: “Dhe nga argumentet e Tij është që për të mirën tuaj, Ai krijoi nga vetë lloji juaj palën (gratë), ashtu që të gjeni prehje tek ato dhe në mes jush krijoi dashuri e mëshirë. Në këtë ka argument për njerëzit që mendojnë” Rrum 22.

I Dërguari i Allahut paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të, na jep shembullin më të mirë, në shpalosjen e dashurisë për gruan e tij. Ai, madje në prani të të gjithëve thotë, se e dua nënën e besimtarëve, Ajshen, Allahu qoftë i kënaqur me të. Na përcjell Amër ibën Asi, Allahu qoftë i kënaqur me të, i cili thotë: “Shkova tek i Dërguari i Allahut dhe e pyeta: Kë e do më shumë nga njerëzit? –Ajshen,- tha. I thashë: E nga burrat cilin?- Babain e saj,- tha. -Pastaj cilin?-Omerin,- tha, dhe i përmendi edhe disa të tjerë”. Buhariu dhe Muslimi.

Ajshja, Allahu qoftë i kënaqur me te, thotë: I thashë: O i Dërguari i Allahut, çfarë thua ti, nëse je në një luginë, e në të ka një pemë prej së cilës është ngrënë dhe një tjetër që nuk është ngrënë prej saj, në cilën prej tyre do ta kullosësh kafshën?- Në atë prej së cilës nuk është kullotur nga askush,- tha.- Me këtë thënie, Aishja, Allahu qoftë i kënaqur me të, ka si qëllim, se i Dërguari paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të, nuk u martua me asnjë beqareshë tjetër, pos saj. Buhariu.

Transmetohet se një ditë Muhamed ibën Kajsi u tha shokëve të vet: A dëshironi t’iu tregoj diçka për nënën time?- Ata thanë: Ne menduam se do të na tregojë për nënën, e cila e ka lindur, mirëpo ai vazhdoi duke na thënë: Aishja, Allahu qoftë i kënaqur me të, na tha: A nuk dëshironi t’ju tregoj diçka që ka ndodhur mes meje dhe të Dërguarit të Allahut?- Ne i thamë: Gjithsesi.- Ajo tha: Kur i Dërguari, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të, e kishte radhën tek unë, erdhi në dhomë, e hoqi pallton, zbathi këpucët, të cilat i vendosi tek këmbët e tij, ndërsa pallton e shtroi sipër shtratit dhe pastaj u mbështet në të. Qëndroi deri sa kuptoi se kisha fjetur, veshi pallton, u mbath ngadalë, hapi derën, doli jashtë dhe e mbylli atë ngadalë.

Edhe unë u vesha dhe dola pas tij. Arriti në varrezat e Bekisë, qëndroi gjatë dhe pastaj ngriti duart tre herë. Pastaj u kthye, u ktheva edhe unë, nxitoi, nxitoja edhe unë derisa arriti në shtëpi, mirëpo unë arrita para tij.

Sapo u mbështeta, arriti dhe më tha: Çfarë ke o Aishe, që të është shpeshtuar frymëmarrja?– Asgjë,- i thashë.- Ose do të më tregosh, ose më tregon Allahu i Gjithëdijshëm,- më tha ai. I thashë: Flijofsha për ty nënë e baba, o i Dërguari i Allahut,- dhe ia tregova ngjarjen. -A ti ishe ajo errësira që ecte para meje?– Më tha. -Po,- i thashë.

Më goditi me dorë në gjoks e më tha: A mendon ti, se të bëjnë padrejtësi Allahu dhe i Dërguari i tij?– Ajo tha: -Sado që fshehin njerëzit, Allahu e di se çfarë fshehin.- Ashtu është,- më tha.

Pastaj i Dërguari paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të, vazhdoi duke thënë: Më erdhi Xhibrili dhe më thirri. Shprehi respekt ndaj teje dhe iu përgjigja. Ai asnjëherë nuk hyn në dhomën tënde pasi t’i kesh hequr rrobat. Ndërsa unë mendova se kishe fjetur, nuk dëshirova të të zgjoja dhe u frikësova se mos do të frikësoheshe nga vetmia.

Xhibrili më tha: -Zoti yt të urdhëron, që të shkosh në varrezat Bekije dhe të kërkosh falje për banorët e saj.- Aishja thotë: I thashë: -Si të lutem unë për ta, o i Dërguari i Allahut?- Më tha: Thuaj:

Selami qoftë mbi ju o banorët e varrezave, muslimanë e besimtarë, Allahu i mëshiroftë ata që shkuan para nesh dhe ata që do të vijnë pas tyre dhe ne me lejen e Allahut do t’ju bashkëngjitemi juve. Muslimi.

Dashuria mes të Dërguarit paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të, dhe Aishes Allahu qoftë i kënaqur me të, arrin deri në shkallën e komunikimit me ndjenja dhe fjalë indirekte. Na përcjellë Aishja Allahu qoftë i kënaqur me të, e cila thotë: I Dërguari i Allahut paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të, më tha: “Unë e kuptoj, nëse je e kënaqur me mua apo e hidhëruar. I thashë: Si e kupton këtë?- Ai tha: Nëse je e kënaqur me mua thua (betohesh): Jo për Zotin e Muhamedit, e nëse je e hidhëruar thua: Jo për Zotin e Ibrahimit.- Ajo tha: Ashtu është. Për Allahun nuk braktis në ato çaste, përveçse emrin tënd. Buhariu dhe Muslimi.

Edhe në momentet e mospajtimit, nuk i harronin shprehjet e mira. “Na përcjell Numan ibën Beshir se Ebu Bekri Allahu qoftë i kënaqur me ta, erdhi tek i Dërguari i Allahut, kërkoi leje nga ai dhe pasi hyri brenda, pa se Aishja, vajza e tij, e kishte ngritur zërin ndaj të Dërguarit paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të. Për Ebu Bekrin kjo situatë ishte shumë e rëndë. Iu drejtua asaj duke i thënë: Oj e bija e Umi Rumanes, a po e ngre zërin ndaj të Dërguarit të Allahut,- dhe më pas e goditi Aishen Allahu qoftë i kënaqur me të dy. Ajo më pas filloi të fshihet pas shpinës së të Dërguarit paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të.

Pasi iku Ebu Bekri i Dërguari paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të, iu drejtua Aishes me këto fjalë: A nuk e sheh, që unë ndërhyra mes teje dhe babait tënd?– Ebu Bekri Allahu qoftë i kënaqur me të, u kthye prapë tek shtëpia e të Dërguarit dhe pasi kërkoi leje nga ai, pa se ata po qeshnin. Ebu Bekri i tha: O i Dërguari i Allahut, dua të jem pjesëmarrës në harenë tuaj, ashtu siç isha pjesëmarrës në zënkën tuaj.” Ahmedi dhe Ebu Davudi

I Dërguari paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të, nxiste vazhdimisht, që mes bashkëshortëve të qarkullojnë gjithnjë fjalë falënderuese e dashurie, posaçërisht prej gruas. Transmeton Abdullah ibën Amër ibën As, se i Dërguari paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Allahu nuk e shikon një grua, e cila nuk e falënderon burrin e saj, përderisa ajo nuk mund të bëjë pa të.” Nesaiu, Albani thotë që hadithi është i saktë. Edhe sahabet, madje edhe tabiinët ndoqën rrugën e të Dërguarit paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të, në shprehjen e ndjenjave të dashurisë mes bashkëshortëve. Historianë të shumtë tregojnë, se Abdurrahmani, i biri i Ebu Bekrit Allahu qoftë i kënaqur me të dy, u martua më Atike bint Amër bint Nufej, e cila ishte vajza më e bukur te Kurejshitët, por edhe Abdurrahmani ishte shumë i bukur dhe respektues i denjë i prindërve. Pasi u martua me të ajo dominoi ndaj mendjes së tij dhe Abdurrahmani e donte atë tej mase. Kjo gjë ishte e padëshiruar për babanë e tij Ebu Bekrin. Një ditë kalon pranë birit të vet, i cili ishte në shtëpinë e tij dhe iu drejtua me këto fjalë: O biri im! Po shoh se kjo grua të ka habitur dhe ka dominuar ndaj mendjes sate, prandaj mendoj se ti duhet ta shkurorëzosh atë.- Ai ia ktheu: Nuk mundem, o babai im.- Ebu Bekri ia ktheu: Atëherë, të betohem që ta shkurorëzosh.- Kështu, Abdurrahmani u ndie i pafuqishëm ta refuzonte urdhrin e të atit dhe e shkurorëzoi gruan e vet, mirëpo u mërzit aq shumë, saqë filloi të mos hajë dhe të mos pijë. Disa njerëz i thanë Ebu Bekrit: E vrave birin tënd për së gjalli.- Kur ai po kalonte pranë të birit, i cili nuk e shikoi e dëgjoi atë duke recituar vargje në të cilat shprehte pikëllimin e thellë dhe dëshirën për të qenë me ish-gruan e tij.

Ebu Bekri i prekur nga fjalët që dëgjoi prej të birit i doli përpara dhe i tha: O robi Allahut, ktheje Atikën.-Abdurrahmani i ngazëllyer tha: Të marr për dëshmitar për ta kthyer,- ndërkaq pa njërin nga robërit e tij me emrin Ejmen, dhe i tha: O Ejmen, të liroj nga robëria për hir të Allahut dhe po të marr për dëshmitar, që ta kthej Atikën.- Dhe në këtë gjendje ngazëllimi vrapoi drejt shtëpisë së Atikës, duke recituar vargje në të cilat shprehte harenë e madhe.

Transmeton Zubejri nga babai i tij, i cili thotë: Ishte në Medinë një njeri nga Kurejshitët, i cili e donte shumë gruan e tij dhe ajo e donte atë shumë. Dashuria e madhe ndaj saj e pengonte atë në kërkimin e furnizimit, ngaqë nuk mund të ndahej nga ajo. Meqë iu përkeqësua gjendja sociale dhe iu shtuan borxhet, nga frika se mos po e humb gruan e tij (ajo do t’i kërkonte shkurorëzimin për shkak të varfërisë), i tha: Për Allahun, unë të dua shumë dhe nuk mund të të shoh në këtë gjendje që jemi ne, pra, më përgatit gjërat për udhëtim.- Shkoi në Sham te Muavia, Allahu qoftë i kënaqur me të, ia tregoi gjendjen e vet, ndërsa Muavia urdhëroi që t’i jepen një mijë dinarë. Muavia, Allahu qoftë i kënaqur me të i tha: Merri këto, ngase e kuptuam dashurinë e madhe, që ke për gruan tënde dhe urrejtjen e madhe për ndarjen prej saj.

Është pyetur Ebu Uthman Nisaburi, se cila është vepra më shpresëdhënëse për ty tek Allahu?- Ai është përgjigjur: Ndërsa unë refuzoja që të martohem, më erdhi një vajzë dhe më tha: O Ebu Uthman, të betohem në Allahun, që të martohesh me mua. Ftova babanë e saj, i cili ishte shumë i varfër. Ai u gëzua shumë, dhe u martuam. Pasi u martuam e kuptova, se ajo vajzë ishte e verbër nga njëri sy dhe çalonte. Mirëpo nga dashuria e madhe që kishte për mua, nuk më lejonte të dal nga shtëpia. Për të mos ia thyer zemrën, nuk dilja jashtë dhe nuk ia shprehja mërzinë. Kështu vazhduam për pesëmbëdhjetë vite derisa vdiq ajo, dhe nuk kam vepër më shpresëdhënëse se sa mos-thyerja e zemrës së saj.

Ndjenja e dashurisë është ndër ndjenjat shumë të rëndësishme dhe kuptimplote, ngase vendbanimi i saj është zemra. Kështu që zemra është një botë sekrete dhe mund të arrihet në brendësi të saj përveçse një ndërmjetës si gjuha. Gjuha është një mjet shumë i rëndësishëm, e cila shpalos atë që fshihet në zemër. Ndërsa ndjenjat e emocionet, që gjenden vetëm në zemër, nuk mjaftojnë për avancimin e dashurisë mes bashkëshortëve. Pra, duhet që patjetër këto ndjenja të shpalosen e të zbresin nga zemra në rrafshin e gjerë. Shpalosja e ndjenjës së dashurisë mes bashkëshortëve është shkak që mes tyre të vazhdojë lumturia, dashuria, mirëkuptimi, njëherit shkak edhe i përhapjes së shpirtit të optimizmit, edhe mes anëtarëve të tjerë të familjes.

Përshtati: Rasim Haxha