Home Lutje LUTJA PËR EVLADIN

LUTJA PËR EVLADIN

Lutja është një faktor tejet i fuqishëm që shumë njerëz e anashkalojnë. Me lutje ndryshohet edhe kaderi dhe arrihen gjëra që s’mund t’i arrijë asnjë fuqi. Mu për këtë, krahas shkaqeve që duhet t’i zbatojmë për arritjen e rezultateve të dëshiruara, nuk duhet të lëmë mënjanë edhe lutjen.

Për shembull, edukimi i fëmijëve është një proces i rëndë dhe i gjatë i cili kërkon nga prindërit një përgatije të caktuar, njohjen e sadopak metodave të edukimit të cekura në shkencën e Pedagogjisë. Mirëpo, mbështetja kryekëput vetëm në këto metoda nuk do të mjaftonte nëse anashkalohet lutja për fëmijët.
Në Kuranin famëlartë është përmendur disa herë lutja për fëmijët:

• “…m’i bën të mirë pasardhësit e mij” (Ahkaf: 15)
• “… i kam lënë atë me pasardhësit e saj nën mbrojtjen Tënde nga djalli i mallkuar” (Ali Imran:36)
• “O Zoti ynë, dhurona nga gratë tona dhe trashëgimtarët tanë, ç’është prehje për sytë tanë dhe bëna shembull për të mirët!” (Furkan: 74)
• “O Zoti im, bëj që unë dhe pasardhësit e mi të kryejmë përherë namazin! O Zoti ynë, na i prano lutjet!” (Ibrahim: 40)
• “O Zoti ynë! Na bëj të përulur ndaj Teje! Bëj që edhe pasardhësit tanë të jenë të përulur ndaj Teje!” (Bekare: 128)
• “Zoti im! Dhuromë nga ana Jote një pasardhës të mirë! Se Ti, me të vërtetë, je Dëgjues i lutjes!” (Ali Imran: 38)
• “O Zoti im, bëje të sigurt këtë qytet dhe më ruaj mua dhe pasardhësit e mi nga adhurimi i idhujve!” (Ibrahim: 35)

Dijetari Muhamed b. Salih El- Uthejmin, thotë:
“Njeriu duhet të jetë insistues në lutjet e tij, në çdo kohë, ndoshta mund të rastisë çastin e pranimit dhe kështu të kaplohet nga mëshira e Allahut”

Agim Bekiri