Mësuesja e klasës së V –të, iu drejtua një ditë nxënësve të saj me fjalët: ‘Ju dua të gjithëve’, por në vetvete përjashtonte nxënësin e quajtur Tedi. Rrobat e tij ishin gjithmonë të papastra, mesatarja e notave të tij në shkollë ishte e pakënaqshme dhe ishte nxënës i tërhequr në vetvete.
Këtë gjykim të padrejtë mësuesja e bazoi mbi atë që vuri re gjatë një viti shkollor. Përveç kësaj, ajo vuri re se Tedi nuk po luante me fëmijët e tjerë dhe gjithmonë kishte nevojë të shkonte në banjo. Djaloshi ishte në depresion dhe i parregullt, deri në atë masë sa që, mësuesja ndjente kënaqësi kur ia korrigjonte detyrat me stilolaps të kuq, duke ia theksuar me vijë të trashë shenjën “X”, kurse në krye të fletës së detyrave notën: “Pamjaftueshëm!”
Një ditë mësueses iu kërkua që t’i rishikonte sukseset e të gjithë nxënësve në vitet e mëparshme dhe, derisa po e shqyrtonte dosjen shkollore të Tedit, ajo mbeti e tronditur dhe e hutuar.
Mësuesja e klasës së I – rë, kishte shkruar për të: “Tedi është fëmijë i mençur dhe i talentuar, i cili detyrat e tij i kryen me kujdes dhe me rregull.”
Mësuesi i tij i klasës së II – të, kishte shkruar: “Tedi është nxënës i mrekullueshëm dhe i dashur midis shokëve të tij, por po brengoset për kancerin nga i cili vuan nëna e tij.”
Mësuesja e klasës së III – të, kishte shkruar: “Vdekja e nënës së tij e goditi rëndë Tedin. Ai u përpoq sa kishte mundësi, por babai i tij nuk ishte i interesuar për të. Jeta në një shtëpi të tillë, së shpejti mund t’i lejë pasoja negative nëse nuk merren masa.”
Mësuesja e klasës së IV – të, kishte shkruar: “Tedi është një nxënës i tërhequr plotësisht, nuk dëshiron të mësojë, nuk ka shokë dhe fle gjatë orëve të mësimit!”
Këtu mësuesja e kuptoi problemin e tij dhe u ndije e turpëruar për shkak të qëndrimit të saj ndaj Tedit. Gjendja e saj ishte edhe më e keqe, kur nxënësit sollën dhurata festive të paketuara bukur, përveç Tedit, dhurata e të cilit ishte mbështjellë në një qese letre nga shitorja.
Mësuesja u pikëllua derisa po hapte dhuratën e Tedit, kurse nxënësit u qeshen me dhuratën e tij. Në një qese kishte mbështjellë një gjerdan margaritari, të cilës i mungonin disa margaritar, dhe një shishe parfumi që përmbante vetëm ¼ e sasisë së parfumit. Nxënësit u ndalën së qeshuri, kur parë se mësuesja shprehu admirimin e saj për bukurinë e gjerdanit dhe parfumit, e falënderoi ngrohtësisht, pastaj e vuri gjerdanin rreth qafës dhe e përdori parfumin.
Atë ditë, Tedi nuk u kthye menjëherë në shtëpi pas shkollës, por e priti mësuesen. Kur mësuesja iu afrua, ai i tha:
“Mësuese, juve ju vjen era si nënës sime!”
Mësuesja ia plasi vajit, sepse e kuptoi që Tedi ia kishte sjellë asaj shishen e parfumit që e kishte përdorur nëna e tij.
Që nga ajo ditë, ajo i kushtoi vëmendje të veçantë Tedit. Deri në fund të vitit, Tedi u bë nxënësi më i mirë në klasë. Në fund të vitit shkollor, mësuesja e gjeti një shënim të varur në derën e saj, në të cilën Tedi shkruante: “Ti je mësuesja më e mirë që kam njohur ndonjëherë!”
Mësuesja iu përgjigj: “I dashuri Tedi, ti më mësove se si të jem mësuese e mirë!”
Disa vjet më vonë, mësuesja u befasua kur i erdhi ftesa për të marrë pjesë në ceremoninë e ndarjes së diplomave në Fakultetin e Mjekësisë. Ftesa ishte e nënshkruar me emrin: “Djali yt, Tedi!”
Dhe ajo shkoi në atë ceremoni duke e bartur rreth qafës gjerdanin me margaritar dhe e parfumosur me parfumin të cilin e përdorte nëna e Tedit.
http://saff.ba// Përkthim: Miftar Ajdini