Home ZGJODHËM PËR JU O populli i Mekës

O populli i Mekës

Kur Pejgameri (a.s.), hyri në Mekë si triumfues, mbajti një fjalim para Qabes dhe i drejtoi këtë pyetje popullit të Mekës: “O populli i Mekës! Çfarë mendoni se do të bëj me ju tani?” Ata thanë: “Prej teje presim vetëm mirësi, sepse ti je fisnik dhe bir fisniku.” Atëherë Pejgamberi (a.s.), u tha: “Shkoni, jeni të gjithë të lirë.”

Ky është qëndrimi fisnik i Pejgamberit (a.s.), kundrejt armiqve të tij të përbetuar, të cilët vetëm tetë vjet më parë e kishin detyruar të braktiste vendlindjen e tij të dashur, për të emigruar në Medine. Ky qëndrim paqësor i Pejgamberit (a.s.), përballë armiqve, të cilët e kishin munduar dhe torturuar për trembëdhjetë vjet rresht, për më tepër ku i kishte të gjitha mundësitë për t’u hakmarrë, mund të shpjegohet vetëm me të qenit e tij, një Pejgamber i mëshirës dhe i paqes. Çlirimi i Mekës mjafton si shembull për të krijuar mbi të përshtypjen e një Pejgamberi, që gjatë gjithë jetës ndoqi një politikë paqësore. I Dërguari i Allahut e mbajti sekret deri në momentin e fundit edhe për njerëzit më të afërt planin për mësymje drejt Mekës. Dhe mori masa për të penguar nxjerrjen e informacionit. Siç ishte rasti i Hatib Ibn Ebu Belta, i cili me qëllimin për të mbrojtur të afërmit e vet u përpoq të dërgonte një letër përmes një gruaje në Mekë. Kur ushtria fushoi në një vend afër Mekës, Pejgamberi (a.s.), i urdhëroi ushtarët që secili të ndizte nga një zjarr, që t’i bënte kurejshët të mendonin se kishin përballë një ushtri të madhe, duke ulur në këtë mënyrë moralin e armikut dhe dobësuar mundësinë për një qëndresë të fortë. Të gjitha këto masa të Pejgamberit (a.s.), ishin në funksion të parandalimit të gjakderdhjes, sepse po të merrej vesh lajmi që muslimanët do të mësynin drejt Mekës, atëherë Kurejshët do të përgatiteshin për luftë, gjë e cila do të shkaktonte humbje dhe gjakderdhje të madhe nga të dyja palët. Megjithëse muslimanët ishin më të fortë se kurrë dhe shumë lehtë mund të përdornin si pretekst për luftë shkeljen e marrëveshjes së Hudejbijes. Por qëllimi i Muhamedit (a.s.), nuk ishte hakmarrja dhe pushtimi. Prandaj Pejgamberi (a.s.), fjalën e Sad ibn Ubades drejtuar Ebu Sufjanit: “Sot është dita e luftës së madhe, sot është e lejuar derdhja e gjakut në Qabe”, e përgënjeshtroi duke thënë: “Sadi gënjen. Sot është dita, ku Allahu do ta madhështojë Qaben.” (Buhariu). Ai nuk kishte për qëllim as për të qëndruar në Mekë, megjithëse ishte një ndjenjë më se normale për t’u rikthyer në vendlindjen e Tij. Por Ai nuk e mendonte një gjë të tillë dhe këtë e konfirmoi, kur ensarët u merakosën për rikthimin e Muhamedit (a.s.), në Mekë. Ai i qetësoi duke thënë: “Kurrë! Unë jam rob dhe i Dërguari i Allahut. Emigrova tek Allahu dhe tek ju. Jeta dhe vdekja ime është me ju.” (Muslimi) Qëllimi i Pejgamberit (a.s.), ishte pastrimi i Qabes nga idhujtaria dhe ngrohja e zemrave të njerëzve ndaj Islamit dhe shpallja e amnis – tisë së përgjithme ishte pikërisht për këtë qëllim, fitimin e zemrave të njerëzve. Në këtë mënyrë u realizua hyrja e njerëzve në Islam grupe- grupe, që Kurani e përshkruan: “Kur të vijë ndihma e Allahut dhe çlirimi i Mekës, do t’i shohësh njerëzit duke hyrë në fenë e Allahut grupe-grupe, atëherë madhëroje me falënderim Zotin tënd dhe kërko falje nga Ai, se Ai është vërtet Pranues i madh i pendimeve.” (Nasr, 1-3) Në mesin e grupeve bënin pjesë Ebu Sufjani, lideri i kurejshëve, Hindi iniciatorja e vrasjes së Hamzait (r.a.), Ikrime, biri i Ebu Xhehlit dhe shumë të tjerë, që kishin kryer krime të rënda, por Pejgamberi (a.s.), i fali të gjithë duke i harruar të gjitha ngjarjet e dhimbshme.